Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka apeluar tek bartësit e mandatit të ri institucional për të prioritarizuar përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG). Sipas Odës, kjo është një komponent thelbësor i politikës energjetike të vendit në të ardhmen.
Në një reagim publik, Oda vlerëson se Kosova është në një moment kritik për sektorin energjetik. Vendimet që do të merren në periudhën e ardhshme do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e vendit.
Oda thekson se debati mbi orientimin e politikave energjetike nuk duhet të kufizohet vetëm në koston fillestare të investimeve apo në opsionet aktuale. Siç deklarohet, “Kosova gjendet në një moment vendimtar për të ardhmen e sektorit të saj energjetik. Vendimet që do të merren gjatë muajve dhe viteve në vijim do të përcaktojnë mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike dhe nivelin e sigurisë energjetike.”
Përveç kësaj, Oda thekson nevojën për ndërtimin e kapaciteteve të reja, duke kujtuar se vendi vazhdon të mbështetet në kapacitete të vjetra dhe importe të energjisë elektrike. “Çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale dhe kostove të larta të importit,” thekson deklarata.
Institucionet e reja kanë mundësinë të zhvillojnë një politikë energjetike të mbështetur në analiza profesionale dhe në interesat afatgjata të Kosovës. Oda i bën thirrje autoriteteve për të trajtuar qasjen në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane si një prioritet strategjik.
Në mbyllje, Oda Amerikane u bën thirrje për të vlerësuar këtë mundësi si një investim strategjik në sigurinë energjetike dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës.



















You must be logged in to post a comment Login