Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po përballet me presionin për t’u dorëhequr pas dështimit të propozimit të tij për shitjen e një pjesë të aseteve komerciale të FIFA-s, të cilat vlerësohen rreth 15 miliardë dollarë.
Sipas informacionit nga The Telegraph, presidenti amerikan Donald Trump është i vendosur të bëjë çmos për ta mbajtur Infantinon në postin e tij në qeverinë botërore të futbollit. Raportimet fillestare sugjeronin se Infantino do të zhvillonte takime me zyrtarë të administratës amerikane, përfshirë Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, për të siguruar mbështetje politike. Megjithatë, këto pretendime janë mohuar nga FIFA dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, i cituar nga The Telegraph, ka theksuar se Trump e vlerëson rolin e Infantinos në organizimin e Kupës së Botës 2026 në SHBA, e cila është quajtur nga presidenti amerikan si “Kupën e Botës më të mirë të të gjitha kohërave.”
Marrëdhënia mes Trumpit dhe Infantinos është forcuar gjatë viteve. Që nga takimi i tyre i parë në vitin 2018, Infantino ka kultivuar raporte të ngushta me liderin amerikan, duke i dhuruar këtij të fundit një trofe të artë dhe një medalje përkujtimore gjatë shortit të Kupës së Botës 2026.
Nga ana tjetër, Federata Angleze e Futbollit (FA) po punon për të krijuar një koalicion ndërkombëtar kundër Infantinos. UEFA ka filluar kontaktet me federatat në Afrikë dhe Azi për të siguruar mbështetje për një mocion mosbesimi. Megjithatë, deri tani, asnjë federatë afrikane apo aziatike nuk ka kërkuar publikisht largimin e Infantinos.
Nëse një mocion mosbesimi do të iniciohej, rregullat e FIFA-s kërkojnë që ai të shpallet të paktën tre muaj para votimit, duke bërë që koha të jetë një faktor të rëndësishëm në zhvillimet e ardhshme.



















You must be logged in to post a comment Login