Një shtetas i huaj është bllokuar për rreth 24 orë në malin e Çikës, në Vlorë.
Shtetasi polak, i cili kishte nisur eksplorimin e zonës malore ditën e djeshme, ka hasur vështirësi për shkak të terrenit të ashpër. Sipas burimeve nga Policia e Vlorës, ai ka pësuar dëmtime, duke e pamundur të kthehet vetë.
Që nga mbrëmja e djeshme, janë angazhuar dy grupe kërkim-shpëtimi, të cilat përbëhen nga efektivë të Policisë së Vlorës, shërbimeve zjarrfikëse dhe strukturave të zonave të mbrojtura. Pas kërkimeve intensive, grupet kanë arritur të lokalizojnë shtetasin polak.
Pavarësisht përpjekjeve, për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë për ta nxjerrë nga zona me anë të rrugëve tokësore, është kërkuar ndihmë ajrore për transportimin e tij në një zonë të sigurt.
Mali i Çikës, me lartësi prej 2,044 metrash, është një nga zonat më të vështira malore në jug dhe është pjesë e Parkut Kombëtar të Llogorasë.



















You must be logged in to post a comment Login