Vladimir Putin vazhdon të mbajë në plan një operacion për destabilizimin e Evropës, me qëllimin për të dobësuar këtë vit Aleancën Veri-Atlantike, NATO, si dhe Bashkimin Evropian nga brenda.
Sipas një raporti të gazetës amerikane “The New York Times”, Moska ka në fokus Moldavinë si terren për realizimin e këtij qëllimi. Burime nga shërbimet perëndimore të inteligjencës tregojnë se regjimi rus ka bërë të ditur synimin për vënien në funksion të këtij plani deri në vitin 2026, që nga fundi i vitit 2025, gjatë një takimi mes presidentit rus dhe drejtuesve ushtarakë.
Prioritetet kryesore të Kremlinit përfshijnë pushtimin e një pjese të Ukrainës dhe marrjen nën kontroll të Moldavisë. Moska tenton të krijojë një “urë tokësore” që do të lidhte Rusinë me Moldavinë, për të siguruar një pikëmbështetje që do t’i lejonte të ushtrojnë presion mbi NATO-n.
Për të arritur këtë qëllim, Kremlini u angazhua në ndërhyrje flagrante në zgjedhjet parlamentare të Moldavisë të mbajtura më 28 shtator 2025. Këto përfshinin sulme kibernetike, dezinformim, blerje votash dhe një fushatë propagandistike.
Rusia, gjithashtu, pagoi priftërinj ortodoks moldavë 1,000 dollarë secili për t’i bindur besimtarët të votojnë kundër referendumit për anëtarësim në BE në 2024 dhe për të folur negativisht për politikën pro-perëndimore të vendit.
Ndërkohë, janë zbuluar detaje mbi hapjen e kampeve të trajnimit në Serbi e Bosnje, ku vitin e kaluar morën pjesë kryesisht qytetarë moldavë. Në këto kampe ata mësuan përdorimin e armëve, thyerjen e kordonëve të policisë dhe vënien në flakë të ndërtesave. Pjesëmarrësit u paguan 400 dollarë për kurse që zgjatnin tre deri në katër ditë, duke qenë të udhëhequr nga instruktorë të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse, GRU.
Në Moldavi, pushtetin e mban presidentja Maia Sandu, me partinë e saj pro-evropiane, e cila fitoi mbi 50% të votave në zgjedhjet e kaluara, pavarësisht sabotazhit të ashpër nga Rusia.



















You must be logged in to post a comment Login