Akademiku Arsim Bajrami ka thënë se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, kishte bërë të ditur se do të jepte dorëheqje në rast se ish-krerët e UÇK-së do të mbaheshin në paraburgim për më shumë se një vit.
Në emisionin “Info Magazine” të Klan Kosovës, Bajrami theksoi se Trendafilova e kishte bërë këtë deklaratë edhe publikisht. Ai citon se ajo kishte shprehur se nuk kishte asnjë arsye ligjore për të mbajtur një person në paraburgim për një periudhë më të gjatë se një vit.
“Ne e dimë se përfaqësuesit e gjykatës, duke filluar nga kryetarja e gjykatës speciale, zonja Trendafilova, ishin zotuar që nga viti i parë se nëse këta mbahen më shumë se një vit në paraburgim, ajo është e gatshme të japë dorëheqje. Ajo më ka thënë edhe mua dhe e ka deklaruar edhe për mediat, duke theksuar se nuk ka arsye ligjore për mbajtjen në paraburgim për më shumë se një vit,” tha Bajrami.
Ai kritikoi gjithashtu vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke rikujtuar se Kosova kishte bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës dhe se të akuzuarit ishin dorëzuar vullnetarisht.
Sipas tij, përkundër këtyre elementeve, Gjykata Speciale ka vazhduar të gjejë arsye për të zgjatur periudhën e paraburgimit dhe për të vendosur kufizime të ndryshme.



















You must be logged in to post a comment Login