Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka konfirmuar se partia e saj do të jetë e pranishme nesër në Kuvend. Kjo është në kuadër të kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për thirrjen e një seance nga kryesuesi Avni Dehari.
Bytyqi theksoi insistimin e partisë së saj për të themeluar institucionet. Ajo shprehu angazhimin e vazhdueshëm të Aleancës për të qenë prezentë në çdo aktivitet të thirrur nga partitë tjera.
“Çdo aktivitet që është organizuar nga partitë ka pasur përfaqësimin tonë, dhe nesër sigurisht do të jemi aty,” deklaroi Bytyqi në Edicionin Special të Klan Kosovës.
Ajo ritheksoi mbështetje për thirrjen e seancës, duke theksuar se është e domosdoshme të krijohen institucionet e funksionueshme për zhvillimin e shtetit. “Ky është një shqetësim i madh, jo vetëm për ne si deputetë, por edhe për qytetarët që e ndiejnë fort këtë situatë,” shtoi ajo.
Bytyqi po ashtu përmendi urgjencën e shprehur nga qytetarët për të dalë nga ngërçi institucional. “Kur takohem me qytetarët, ata shprehin shqetësimin e tyre dhe kërkojnë që instancat e duhura të krijohen, në mënyrë që vendi të ecë përpara, pasi kemi mbetur shumë prapa,” përfundoi ajo.



















You must be logged in to post a comment Login