Një shqiptar është ndaluar në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 26 korrik, gjatë një kontrolli kufitar në rrugën federale B2, pranë Mittenwaldit. Ai u ndalua nën dyshimin për kontrabandim të emigrantëve.
Sipas njoftimit të Policisë së Mynihut, zyrtarët polici, gjatë kontrollit, ndaluan një automjet me targa gjermane, i cili drejtohej nga i dyshuari, një burrë 28-vjeçar, i cili kishte leje qëndrimi dhe një patentë shoferi gjermane.
Brenda automjetit ishin pesë shtetas kolumbianë, të cilët nuk dispononin pasaporta apo dokumente identifikimi të vlefshme për hyrje në Gjermani. Policia zbuloi se një prej tyre, një djalë 15-vjeçar, kishte gjetur strehë në bagazhin e makinës, mes rrobave dhe sendeve personale, për shkak se në automjet nuk kishte vende të lira.
Drejtuesi i mjetit, në një deklaratë spontane, tha se ishte i vetëdijshëm për rrezikun e transportimit në këto kushte, por pretendoi se i mituri kishte hyrë në bagazh me dëshirën e tij, për shkak të mungesës së një ulëseje tjetër.
Verifikimet paraprake treguan se pesë shtetasit kolumbianë ishin regjistruar më herët në Gjermani. Ata u proceduan penalisht për tentativën e hyrjes së paligjshme në vend dhe më pas iu dorëzuan autoriteteve kompetente të emigracionit, të cilat do të vendosin për qëndrimin e tyre të mëtejshëm në Gjermani.
Ndërkohë, shqiptari 28-vjeçar, i regjistruar si banues në landin e Saksonisë së Poshtme dhe me vendbanim të përhershëm, u lirua pas përfundimit të procedurave fillestare policore. Megjithatë, ndaj tij pritet të ngrihet procedim penal nën dyshimin për kontrabandim të të huajve.



















You must be logged in to post a comment Login