Disa prindër në Britani po përballen me ankesa për “sjellje antiscociale” pas thirrjeve që u bëjnë fëmijëve të tyre për të hyrë në shtëpi pas lojërave jashtë.
Familjet në zonën Viscount Close, në Pinchbeck të Lincolnshire, kanë marrë letra paralajmëruese nga shoqata e banesave Amplius. Në këto letra, prindërit u kërkohet të kenë kujdes me zhurmën, pasi ka pasur ankesa për fëmijët që thirren për të hyrë në shtëpi nga hapësirat e përbashkëta.
Në letër, është theksuar se ankesa lidhet me “të bërtiturat në zonat e përbashkëta” dhe thirrjet e prindërve për të kthyer fëmijët në shtëpi. Shoqata ka njoftuar se e merr seriozisht çdo rast shqetësimi nga zhurmat dhe në të ardhmen mund të vendosë monitorim të zhurmës.
Megjithatë, banorët e këtij komuniteti e kanë cilësuar ankesën si “absurde” dhe “të pakuptimtë”, duke e theksuar se fëmijët thjesht po shijojnë lojën jashtë.
Susan Coleman, një banore 53-vjeçare, tha se sot është e rrallë të shohësh fëmijë duke luajtur jashtë, pasi shumica e tyre kalojnë kohën me video-lojëra ose telefona. Ajo komentoi se një mikeshë e saj kishte marrë një letër për thirrjet që i bënte fëmijëve të saj për t’u kthyer në shtëpi. “Është qesharake. Prindërit e thirrnin gjithmonë fëmijët për darkë ose për t’u shkuar në shtrat. Pse është bërë problem tani?”, shprehu pakënaqësinë e saj.
Banorët theksuan se hapësira ku luajnë fëmijët ndodhet shumë pranë shtëpive, por sipas tyre, zhurma është normale dhe pjesë e jetës së përditshme. Ata preferojnë që fëmijët të luajnë jashtë, duke i mbikëqyrur, sesa të qëndrojnë të izoluar brenda.
Coleman shtoi se “fëmijët bëjnë më shumë zhurmë se të rriturit, por ata thjesht po luajnë. Është zëri i verës”, duke kritikuar ankesën ndaj prindërve që thërrasin fëmijët e tyre për tu kthyer në shtëpi.
Be the first to comment