Sadik Zeqiri, ish-i burgosur politik, ka ndarë përjetimet e tij nga periudha e burgut në Serbi pas përfundimit të luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai tregon se në atë kohë, e vërteta ishte e vështirë për t’u kuptuar për shkak të dezinformatave nga pushteti serb.
Zeqiri kujton se ata kishin qendruar në burgun e Lipjanit deri më 10 qershor 1999. “Na kanë dërguar pas Masakrës, nga Dubrava në Lipjan, aty kemi qëndruar rreth 16 ditë. Atje morëm informacionet se po diskutoheshin marrëveshjet mes NATO-s dhe Serbisë, por nuk e dinim si po shkonin punët,” shprehet ai në Edicionin Special të Klan Kosovës.
Mëngjesin e 10 qershorit, ata u mblodhën në dhomat e burgut dhe u transferuan për në burgjet e Serbisë. “Na lidhën duart pas shpine dhe na çuan në Serbi. Të gjithë të burgosurit nga Kosova u nisën atë mëngjes,” thotë ai.
Zeqiri përmend se kishin qenë në pavijonin B, por u dërguan në pavijonin A për të plotësuar një autobus. Ata, fillimisht, menduan se po liroheshin, por kur panë autobusat që i çonin drejt Beogradit, ndjenjat e tyre ndryshuan. “E kisha ditur se ato na dërgojnë për Serbi, jo për Maqedoni apo Shqipëri,” shprehet ai.
Fillimisht, gardianët e burgut u thanë se lufta kishte mbaruar dhe se Serbia kishte fituar. Megjithatë, ata filluan të kuptonin se situata ishte ndryshe. “Diku e kuptuam që Serbia jo vetëm që kishte humbur, por ishte larguar krejt,” thotë Zeqiri.
Ai tregon se deri në korrik, realiteti mbi çfarë ndodhi në Kosovë ishte ende i paqartë për ta. “Ne vetëm supozonim se e kishim fituar luftën duke analizuar lajmet dhe komentet e gazetarëve. Në korrik filluan të vinin informacionet, përmes vizitave të Kryqit të Kuq, edhe pse gardianët ishin gjithmonë pranë zyrtarëve të tij.”
















You must be logged in to post a comment Login