Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka shprehur shqetësimin për situatën e vështirë institucionale që po kalon vendi. Ai theksoi se Kuvendi ka mbetur i pakonstituuar edhe një javë pas përfundimit të afatit kushtetues.
Në një konferencë për media, Ismaili akuzoi Albin Kurtin për bllokimin e Kuvendit përmes kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari. Sipas tij, kjo situatë po e pengon ushtrimin e mandatit nga deputetët.
Ai njoftoi se Grupi Parlamentar i PDK-së i ka dërguar përsëri një kërkesë Deharit për të thirrur vazhdimin e seancës konstituive më 16 gusht, në orën 11:00.
“Duhet të rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasin seancën, ta propozojnë Kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Asnjë hap përpara nuk mund të bëhet jashtë Kushtetutës”, deklaroi ai.
Ismaili theksoi se Kosova nuk mund të mbetet përherë nën pengun e kalkulimeve politike të Albin Kurtit. Ai bëri thirrje që Kurti të vijë në Kuvend dhe të thërrasë seancën, duke mos u fshehur pas Avni Deharit.
“Nuk do ta pranojmë këtë situatë. Ne kërkojmë që Kosova të funksionojë si një shtet ligjor dhe jo si një entitet që i nënshtrohet vullnetit të pushtetit”, tha Ismaili.
Ai theksoi se veprimet e PDK-së nuk janë të lidhura me interesa partiake apo kërkesa për pushtet, por me mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interesave të qytetarëve.



















You must be logged in to post a comment Login