Policia e Kosovës ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar pas një përleshjeje fizike që ndodhi në Ferizaj. Si rezultat i incidentit, tre individë kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa njëri prej tyre është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15 më 11 gusht, në rrugën “12 Qershori”. Njësitet policore dhe hetuesit e krimeve kanë arritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat që çuan në përleshje.
Gjatë marrjes në pyetje, njëri prej të dyshuarve ka pohuar se kishte përdorur një kaçavidë, me të cilën dyshohet se ka goditur një prej personave të lënduar. Policia ka sekuestruar kaçavidën si provë materiale dhe gjithashtu ka siguruar një video-incizim të incidentit.
Fillimisht, tre persona janë arrestuar në orët e para të mëngjesit, ndërsa gjatë ditës janë arrestuar edhe dy të tjerë. Ndër të arrestuarit janë D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç) dhe A.A. (22 vjeç).
Njëri prej të lënduarve, SH.A. (33 vjeç), pas trajtimit në Qendrën Emergjente në Ferizaj është dërguar në QKUK, ku po merr trajtim mjekësor. Policia ka bërë të ditur se ai do të intervistohet nga hetuesit pasi të stabilizohet gjendja e tij shëndetësore.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të iniciohet procedim për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.



















You must be logged in to post a comment Login