Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në një takim Senatoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtetin e Ajovës, Joni K. Ernst.
Senatorja Ernst ishte e shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, si dhe nga Agjutanti i përgjithshëm i Ajovës, Gjeneral Major Stephen Osborn.
Gjatë takimit, Gjenerallejtënant Jashari e falënderoi senatoren Ernst për vizitën dhe për mbështetje e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, gjatë bisedës u diskutuan zhvillimet aktuale dhe perspektivat e ardhshme të FSK-së, prioritetet e saj, si dhe rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, u shkëmbyen qëndrime lidhur me aktualitetin e sigurisë dhe sfidat e përbashkëta.
Në përfundim të takimit, Jashari shprehu mirënjohjen për senatoren Ernst për kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.



















You must be logged in to post a comment Login