Shumica e nuseve arrijnë në dasmën e tyre me makinë, por një fermere nga Somerset ka zgjedhur një mënyrë krejtësisht të pazakontë për të shkuar në kishë. Victoria Lee, 37 vjeçe, tërhoqi vëmendjen duke mbërritur në ceremoninë e martesës duke kalëruar mbi lopën e saj të preferuar, “White Chocolate Button”, e cila sipas saj është “pothuajse shoqja e saj më e mirë”.
Lee, e rritur në një fermë familjare në Dorset, tregoi se që nga fëmijëria kishte filluar të kalëronte lopë, pasi familja e saj nuk i lejonte të kishte poni. Ajo përshkroi momentin kur vendosi të trajnojë lopën për të shkuar në kishë, duke thënë: “Mendova: pse të mos e trajnoj White Chocolate Button që të më çojë në kishë?”.
Sidoqoftë, Lee kishte provuar të trajnonte edhe një lopë tjetër, të quajtur Basil, por ajo nuk e kishte pranuar idenë. “Provova të trajnoja edhe Basilin, por ajo nuk donte. Madje tentoi të më rrëzonte, kështu që e lamë të qetë”, tregoi ajo.
Lopa e saj, White Chocolate Button, ka pasur përvoja të ndryshme me vëmendjen dhe festat. Lee shpjegoi se ajo kishte marrë pjesë në aktivitete të ndryshme në fermë dhe ishte veshur si fantazmë për Halloween, duke u mësuar me këto situata.
Rrugëtimi i nuses drejt fshatit nisi me traktor, ndërsa pjesën e fundit deri te kisha e përfundoi mbi lopën e saj. E shoqëruar nga shoqërueset, Lee dhe White Chocolate Button tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve gjatë rrugës.
Pas ceremonisë, jashtë kishës u organizua një pritje simbolike. Dhëndri dhe shoqëruesit e tij krijuan një “gardë nderi” duke mbajtur mjete bujqësore në duar.
Përveç kësaj, dasma kishte edhe një tjetër veçanti: menjëherë pas ceremonisë, çifti u kthye në fermë për të mjelë lopët. Ndërsa të ftuarit pritet rreth dy orë për festën e dasmës, çifti iu bashkua më vonë gjatë mbrëmjes, këtë herë pa lopën e veçantë, White Chocolate Button.



















You must be logged in to post a comment Login