Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me vazhdimin e masave për kontrollin e çmimeve të produkteve të naftës.
Në një komunikatë për media, kjo shoqatë ka kërkuar anulimin e këtyre masave. Ajo thekson se ky vendim po i dëmton rëndë bizneset, po e cenon konkurrencën e lirë dhe nuk po sjell përfitime reale për konsumatorët.
“Vendimi nuk plotëson asnjërin nga kriteret e përcaktuara në nenin 15 të Ligjit nr. 08/L-018 për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme. Gjithashtu, ai është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ (QRK) nr. 03/2022, sipas të cilit masa të tilla mund të zbatohen për një periudhë maksimale prej 90 ditësh,” thuhet në komunikatë.
Shoqata e konsideron të domosdoshme që opinioni publik të informohet se, përveç rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar, është rritur edhe pagesa në buxhetin e shtetit.
“Nga data 3 mars 2026 deri më sot, konsumatorët kanë paguar në buxhetin e shtetit mesatarisht rreth 7.5 centë për litër, më shumë se në periudhën para fillimit të konfliktit dhe rritjes së çmimeve të furnizimit. Mungesa e politikave mbështetëse dhe e një plani operativ shtetëror për përballimin e krizave energjetike ndërkombëtare ka bërë që barra financiare të vazhdojë të bjerë mbi qytetarët dhe bizneset,” theksohet më tutje.
Pavarësisht vështirësive dhe humbjeve financiare, sipas shoqatës, kompanitë e sektorit të naftës kanë vazhduar të sigurojnë furnizim të rregullt dhe të pandërprerë të tregut.
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës paralajmëron se, nëse vendimi nuk anulohet, do të shqyrtojë të gjitha mundësitë juridike për rregullimin e këtyre shkeljeve, si dhe do të kërkojë kompensim për humbjet e shkaktuara nga këto masa.



















You must be logged in to post a comment Login