Borxhet e vjetra të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) vazhdojnë të shkaktojnë probleme për qytetarët, edhe më shumë se një dekadë pas privatizimit të sektorit të energjisë.
Fidaim Canolli nga Prishtina pretendon se është shkyçur nga rrjeti elektrik për një borxh prej 3,500 eurosh, i cili daton nga viti 2014. Sipas tij, problemi nisi kur iu vendos një njëhsor i ri, pas së cilës mori një faturë prej mbi 5 mijë eurosh, për të cilën ende kërkon sqarime.
Një konsumator tjetër gjithashtu raportoi se prej më shumë se 10 vjetësh figuron në faturë një borxh prej 31 eurosh ndaj KEK-ut. Ai thotë se nuk po arrin ta paguajë borxhin, pasi pagesa nuk po realizohet në sistem.
Avokati Florim Shefqeti, që përfaqëson familjen Canolli, shpalli se përdorimi i borxheve të vjetra si bazë për shkyçje është i kundërligjshëm dhe paralajmëroi veprime ligjore.
Nga ana tjetër, KEDS ka deklaruar se Canolli nuk është shkyçur për borxh ndaj KEK-ut, por për një obligim prej 3,587 eurosh që ka lindur pas privatizimit. Kompania thekson se nuk realizon shkyçje për borxhet e vjetra të KEK-ut, të cilat janë trajtuar përmes procedurave përmbarimore.
Edhe ZRRE ka sqaruar se, sipas rregulloreve në fuqi, shkyçja për mos-pagesë mund të bëhet vetëm për detyrimet aktuale që rrjedhin nga kontrata e furnizimit me energji elektrike. Borxhet e vjetra trajtohen sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve.



















You must be logged in to post a comment Login