Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në Departamentin e Krimeve të Rënda, njoftoi se ka kërkuar caktimin e paraburgimit për të pandehurit me inicialet L.B., F.S., dhe L.S. Kjo masë është e lidhur me dyshimin se ata, në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge. Po ashtu, ndaj të pandehurit F.S. rëndon akuzë edhe për posedimin e paautorizuar të këtyre substancave.
Sipas Prokurorisë, të tri të pandehurit janë arrestuar dje rreth orës 16:00 në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, në fshatin Pestovë, ndërsa ishin duke transportuar substanca narkotike të llojit marihuanë me qëllim shitjeje. Automjetet e tyre po drejtoheshin nga L.B. dhe L.S., me F.S. si pasagjer.
Gjatë përpjekjes së policisë për t’i ndaluar, të pandehurit goditën zyrtarët e policisë dhe, në përpjekje për t’i ikur, shkaktuan një aksident në fshatin Pestovë. Gjatë kontrollit të automjetit, brenda u gjet dhe u sekuestrua një çantë që përmbante 3 kilogramë e tetëmbëdhjetë (3018) gramë substancë narkotike të llojit marihuanë.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit për tre të pandehurit pritet të mbahet para gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.



















You must be logged in to post a comment Login