Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Shpend Gjocaj, ka folur për reagimin e tij të fundit në rrjetet sociale gjatë programit “Edicionin Special” në Klan Kosova. Ky reagim ka shkaktuar një bujë të madhe.
Gjocaj shpjegoi se reagimi i tij erdhi në një moment emocional të vështirë, pas një vizite që kishte bërë për të shoqëruar vëllanë e tij, i cili kishte humbur dorën gjatë luftës, në një procedurë përzgjedhjeje të protezës.
Ai rrëfeu se vizita u zhvillua rreth 120 km larg vendit të tij dhe pas një periudhe matjesh të ndryshme, arriti në momentin final të zgjedhjes së protezës. Megjithëse disa proteza ishin të ngjashme, kishte detaje që i ndanin ato.
“Fillova të mendoj ndryshe nga vëllai për zgjedhjen e protezës,” tha Gjocaj. “Kur pashë që mendimet tona nuk përputheshin, vendosa të dal jashtë dhe t’i lija atij vendimin,” tregoi ai.
Gjocaj përjetoi emocione të forta në momentin kur pa vëllanë duke shkruar emrin e tij në një letër me dorën e djathtë. “Pas 28 vitesh, edhe vëllai e pa veten, e gjithashtu edhe unë u ndjeva emocional, ndikuar nga kujtimet e së kaluarës,” tha ai.
Pasi doli jashtë, ai hapi Facebook-un dhe u përball me komente fyese, gjë që e nxitoi reagimin e tij. “Isha në një luftë emocionale dhe sapo e hapa, u përballa me sharje dhe fyerje. Kupa u mbush dhe reagova menjëherë,” sqaroi Gjocaj. Ai e përshkroi reagimin si emocional dhe të shpejtë, por e theksoi se nuk do të ndryshonte asgjë më pas.
Gjocaj kritikoi ashpër kulturën politike në Kosovë, duke e lidhur këtë me përçarjet dhe gjuhën e urrejtjes që, sipas tij, janë nxitur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. “Kjo klasë politike ka sjellë përçarje mes vëllezërve dhe në shumë familje për pasojë të politikave të tij të ndyra,” deklaroi ai.



















You must be logged in to post a comment Login