Lufta në Ukrainë dhe Rusinë po zhvillohet në një drejtim të ri. Goditjet e Ukrainës me dronë mbi rafineritë ruse kanë çuar në mungesë karburantesh në Krime, si dhe në disa qytete ruse.
Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, analisti Milazim Koci theksoi se qëllimi i Ukrainës është të ndërpresë logjistikën ruse në Krime.
Ai shtoi: “Sipas raportimeve të agjencive botërore, në fushëbetejë Ukraina dhe Rusia mbajnë pozitat e tyre, pa ndonjë ndryshim të madh. Megjithatë, ajo që ka ndryshuar është ofenziva e Ukrainës, me përdorimin e dronëve dhe projekteve të tjera. Dronët e specializuar, siç thonë ekspertët, tani përfshijnë elemente të inteligjencës artificiale dhe godasin me saktësi të jashtëzakonshme. Informacionet e fundit tregojnë për mungesë benzinë, ushqime dhe barna në Krime. Qëllimi i Ukrainës është të ndalojë furnizimin në këtë rajon dhe të godasë cilësitë ushtarake të Rusisë.”
Nga Moska, Misha Pumo raportoi se, përveç Krimesë, kryeqyteti rus po përballet gjithashtu me mungesa karburantesh.
Ai tha: “Një situatë e rëndësishme është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nga guvernatori i Krimesë. Moska nuk e fsheh vështirësinë që po shkaktojnë goditjet e vazhdueshme me dronë për logjistikën në Krime. Situata energjetike është përkeqësuar ndjeshëm; janë vendosur kufizime në furnizimet me benzinë dhe naftë për mjetet private, me një kuotë prej 20 litrash për çdo automjet. Kjo situatë nuk është vetëm në Krime, por edhe në Moskë, ku po ndihen kufizime të ngjashme. Kam qenë prezent me një shok dhe kur u përpoqëm të furnizohemi, nuk kishte benzinë në disa pika, dhe vetëm naftë. Në një pikë tjetër, kishte një radhë të vogël për benzinë. Burimi i këtyre problemeve janë goditjet e Ukrainës mbi rafineritë e naftës.”



















You must be logged in to post a comment Login