Sindikata e re e KEK-ut ka reaguar pas aksidenteve tragjike të ndodhur në vendin e punës, duke theksuar nevojën që institucionet përgjegjëse të kalojnë nga reagimi pas ngjarjeve në parandalimin e tyre.
Sipas sindikatës, vetëm gjatë vitit 2026 kanë humbur jetën katër punëtorë të KEK-ut: Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti. Në një postim në Facebook, sindikata shpreh shqetësimin se pas çdo rasti tragjik ndodhin ngushëllime dhe premtime për masa, megjithatë veprimet e nevojshme për parandalimin e situatave të rrezikshme mungojnë.
“Problemi qëndron në faktin se nuk po u paraprihet situatave të rrezikshme”, theksohet në reagim. Sipas sindikatës, nuk po krijohet një sistem që identifikon dhe eleminon rrezikun përpara se të ndodhin aksidente. “Mungojnë veprimet para aksidenteve; presim fatkeqësitë, pastaj reagojmë dhe harrojmë deri në tragjedinë e radhës. Ky nuk është vetëm një problem i sigurisë teknike, por edhe i menaxhimit dhe kulturës së punës në KEK”.
Sindikatat e konsiderojnë sigurinë në punë si një çështje të menaxhimit dhe kulturës së punës, duke e propozuar nevojën që punëtorët të ndihen të lirë për të raportuar kushtet e pasigurta, pa frikë nga pasojat.
“Një menaxhim që mbështetet në presion dhe frikë, në vend që të ushtrojë komunikim dhe motivim, mund të quhet menaxhim represiv dhe jomotivues. Punëtori duhet të ketë siguri për të thënë: ‘Kjo punë është e pasigurt’, pa u ndier nën presion. Atyre duhet t’u dëgjohet zëri përpara se të ndodhi një aksident, dhe jo vetëm pas tragjedisë”.
Sindikata thekson se siguria nuk fillon pas aksidentit, por para tij. Ajo kërkon që menaxhmenti, Bordi, ministria dhe çdo strukturë tjetër përgjegjëse të kalojë nga reagimi pas ngjarjeve në parandalimin e tyre. “Katër jetët e humbura brenda një viti duhet të jenë një alarm i fortë për të gjithë. Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti nuk duhet të jenë thjesht statistika, por emra që kërkojnë përgjegjësi dhe masa konkrete për një ndryshim të mënyrës së menaxhimit të sigurisë dhe punëtorëve. Ne kërkojmë veprime para se të humbasim jetën e radhës”, përfundon reagimi i Sindikatës së re të KEK-ut.



















You must be logged in to post a comment Login