Procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet e 7 qershorit po i afrohet përfundimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ky proces pritet të përmbyllet paraditen e së premtes.
Sipas të dhënave të fundit, deri tani janë rinumëruar 176 vendvotime, ndërsa mbeten për t’u rinumëruar edhe nëntë të tjera. Në total, janë 185 vendvotime që janë përfshirë në këtë proces rinumërimi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi se deri në fund të ditës së enjte (18 qershor) janë rinumëruar 176 nga 185 vendvotimet. Ai shtoi se pjesa e mbetur do të rinumërohet paraditen e së premtes.
Vendimi për rinumërim është marrë në disa komuna në përputhje me rregulloren zgjedhore që rregullon funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Kjo rregullore parashikon që pas pranimit të materialeve zgjedhore, KQZ të vlerësojë situatën dhe, nëse është e nevojshme, të vendosë për rinumërim.
Sipas KQZ-së, kjo masë kontrolli është vendosur për të adresuar problemet e evidentuara në disa Qendra Komunale të Numërimit gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar. Qëllimi i saj është sigurimi i saktësisë në procesin e numërimit.



















You must be logged in to post a comment Login