Për shumë fëmijë, dita e dëftesës është e vështirë jo për shkak të notave, por për shkak të frikës nga reagimi i prindërve të tyre.
Si prindër, ne duam fëmijët tanë pa kushte. Ne punojmë, sakrifikojmë dhe ëndërrojmë për një jetë më të mirë për ta. Megjithatë, për shkak të kësaj dashurie, ndonjëherë harrojmë se fjalët tona kanë një peshë të madhe. Ato mund të ndërtojnë vetëbesim, por gjithashtu mund të shkaktojnë dyshim. Fjalët tona mund t’i japin krahë, por gjithashtu mund t’i këpusin ato.
Teoria e Lidhjes, e zhvilluar nga John Bowlby dhe Mary Ainsworth, tregon se vitet e para të jetës dhe marrëdhënia me prindërit ndikojnë thellësisht në vetëbesimin dhe sigurinë emocionale të një fëmije. Edhe adoleshenca përbën një periudhë të ndjeshme, ku fjalët tona mund të ndërtojnë ose të lëndojnë.
Psikologjia dhe neuroshkenca e kanë dokumentuar prej shumë kohësh se poshtërimi, krahasimi dhe abuzimi emocional nuk janë thjesht fjalë. Shpesh i justifikojmë këto sjellje me ide për të mirën e fëmijëve. Por, ndonjëherë, qëllimi ynë i mirë nuk i fshin pasojat, dhe fjalët mund të lënë gjurmë të thella.
Studimet shkencore kanë treguar disa pasoja:
-
Dëmtohet vetëvlerësimi. Fëmijët fillojnë të besojnë se vlera e tyre varet nga notat dhe arritjet.
-
Vështirësohet zhvillimi emocional. Fëmijët që rriten me kritika dhe frikë kanë më shumë vështirësi në shprehjen e emocioneve.
-
Ndikohen marrëdhëniet e ardhshme. Marrëdhëniet që krijojmë me fëmijët tanë formojnë modelin për marrëdhëniet e tyre me të tjerët.
-
Rritet rreziku për ankth dhe depresion. Kjo lidhje është dokumentuar në studime mbi abuzimin emocional.
- Fëmijët mund të humbasin lidhjen me identitetin e tyre. E posaçërisht, kur ndihen nën presionin e pritshmërive të të tjerëve.
Si këshilltare në fushën e psikologjisë, kam vënë re se, në punën time, nuk kam takuar asnjë të rritur që ende vuan për një dëftesë. Megjithatë, kam parë shumë lot nga ata që, pavarësisht suksesit të arritur, jetojnë me bindjen se “nuk jam mjaftueshëm.”
Shpesh, pa e kuptuar, ne vendosim mbi fëmijët tanë ëndrrat që ne vetë nuk arritëm t’i realizojmë. Duam që ata të bëhen ajo që ne nuk patëm mundësi të bëheshim. Por është e rëndësishme të kujtojmë se fëmijët tanë kanë lindur për të jetuar jetën e tyre, për të zbuluar potencialin dhe talentet e tyre.
Prindërit tanë na edukuan me dashurinë dhe njohuritë që kishin në atë kohë. Sot, ne kemi përgjegjësinë të edukojmë në një mënyrë më të mirë. Le ta ndërpresim këtë cikël, jo duke gjykuar prindërit tanë, por duke zgjedhur një qasje tjetër për fëmijët tanë.
Fëmijët kanë nevojë për prindër që mbështesin pa poshtërim, që vendosin kufij pa i lënduar dhe që e bëjnë të ndihen të dashur, madje edhe kur gabojnë.
Fëmijëria kalon, por ajo mbetet në bindjet dhe frikërat tona. Para se të zemërohemi për një notë, le të pyesim veten: Kush po flet tani? Pra, fjalët tona do të bëhen zëri i brendshëm i fëmijëve tanë. Si prindër, le të jemi zëri që u jep forcë fëmijëve të fluturojnë, jo ai që ua këput krahët.



















You must be logged in to post a comment Login