Muzika italiane është në zi pas ndarjes nga jeta të Peppino di Capri, një nga interpretët më të njohur dhe simboli i melodisë napolitane në botë. Artisti, emri i vërtetë i të cilit ishte Giuseppe Faiella, ndahet nga jeta në moshën 87-vjeçare në vilën e tij “Castiglione” në ishullin e Kaprit, pas një sëmundjeje të gjatë.
Lindur në vitin 1939, Peppino di Capri e kaloi tetë dekadat e fundit të jetës në skenën muzikore, duke u bërë një ambasador i vërtetë i kulturës italiane. Karriera e tij filloi që në moshën 4-vjeçare, kur performoi për trupat aleate, për t’u bërë më pas pionier i rock-ut në Itali gjatë viteve ’50.
Ai ishte i njohur për një repertor të gjerë, ku spikasin hite si “Champagne”, “Luna caprese”, “Let’s Twist Again”, “St. Tropez Twist” dhe “Roberta”. Me një stil unik, ai arriti të ndërthurë muzikën popullore napolitane me ritmet ndërkombëtare, duke fituar dy herë Festivalin e Sanremos dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive.
Humbja e tij ka shkaktuar hidhërim të thellë në Itali. Figura të njohura politike dhe artistike, si ministri i Kulturës Alessandro Giuli dhe Presidenti i Senatit Ignazio La Russa, e kanë kujtuar atë si një gjigant të muzikës dhe një simbol të elegancës.
Kryetari i bashkisë së Napolit, Gaetano Manfredi, tha se qyteti do të gjejë mënyrat e duhura për të nderuar kujtimin e këtij muzikanti të shquar.
Ceremonia e lamtumirës do të zhvillohet të dielën, në orën 17:00, në ishullin e Kaprit. Peppino di Capri lë pas një trashëgimi të pasur muzikore që do të vazhdojë të jetojë ndër breza. Siç e kanë shprehur shumë kolegë të tij në dedikimet e fundit, “Peppino nuk vdes kurrë, ai do të jetojë përjetësisht në këngët e tij.”



















You must be logged in to post a comment Login