Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

KQZ sqaron procesin e votimit me postë, thotë se nuk pati ankesa

KQZ sqaron procesin e votimit me postë, thotë se nuk pati ankesa

Pas shqetësimeve të shprehura publikisht në lidhje me votimin jashtë Kosovës, veçanërisht me ndihmën e postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dhënë një sqarim të detajuar. Ata theksojnë se i gjithë procesi është zhvilluar sipas ligjit dhe se janë marrë masa të shumta për të garantuar integritetin e votës.

Në reagimin e saj, KQZ nënvizon se organizimi i votimit jashtë vendit është bërë në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Komisioni ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për regjistrimin e votuesve, votimin nëpër përfaqësitë diplomatike dhe votimin me postë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë hapat konkretë për të përmirësuar regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës dhe mundësitë për votim fizik apo përmes postës. Gjithashtu, kemi rregulluar procedurat për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutitë postare”, thuhet në njoftim.

Sipas KQZ-së, regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës është shoqëruar me masa sigurie, duke përfshirë verifikimin me fotografim në kohë reale gjatë aplikimit. “Aplikuesi fotografoset teksa mban dokumentin e identitetit. Ai ose ajo nuk mund ta ngarkojë fotografinë, por duhet të fotografohet në momentin kur hapet kamera e platformës për regjistrim”, sipas KQZ.

KQZ gjithashtu njofton se çdo votues i regjistruar ka marrë një dëftesë regjistrimi me të dhëna unike në adresën e tij elektronike, dokument i domosdoshëm për verifikimin e vlefshmërisë së votës së dërguar me postë.

Për zgjedhjet, janë caktuar 30 qendra votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, përfshirë 17 ambasada dhe 13 konsullata. Votimi me postë është mundësuar përmes kutive postare të hapura në 22 vende të botës, përveç kutisë së përhershme në Kosovë.

Për të rritur sigurinë, KQZ ka vendosur që nga zgjedhjet lokale të vitit 2025, votuesve jashtë vendit t’u dërgohen fletëvotime të shtypura nga ana e KQZ-së, të pajisura me elemente sigurie identike me ato që përdoren në vendvotimet në Kosovë. “Pakot me fletëvotim dhe udhëzues dërgohen nga operatorët ekonomikë në adresat e votuesve”, sqaron KQZ.

Reagimi përfshin gjithashtu procedurat për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutitë postare jashtë Kosovës. KQZ thotë se zyrtarët e përfaqësive diplomatike janë autoritetet përgjegjëse për këtë proces, me vëzhgues akredituar që ndjekin procedurat nga afër.

“Pas tërheqjes, pakot regjistrohen dhe vendosen në thasë të mbyllura me lidhëse sigurie. Ekipi i autorizuar regjistron numrin e zarfeve dhe dërgon informacionin e nevojshëm për KQZ”, theksohet në njoftim.

KQZ thekson se thasët me dërgesat e tërhequra ruhen në dhomat e sigurta deri në dorëzimin te operatori përgjegjës për transportin në Kosovë. Të gjitha dërgesat më pas vlerësohen për të verifikuar origjinën e tyre.

“KQZ ka njoftuar vëzhguesit e akredituar për të monitoruar procesin e hapjes dhe vlerësimit të zarfeve, të cilët nuk kanë shprehur vërejtje gjatë këtij procesi”, përfundon reagimi.

KQZ thekson se gjithë procesi është realizuar me transparencë dhe nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të akredituar. “Gjatë procesit të votimit dhe vlerësimit, nuk ka pasur ankesave apo vërejtjeve nga vëzhguesit”, përfundon njoftimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement