Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të legjendës së KF Vëllaznimit, Fahredin “Dush” Mati.
Nëpërmjet një telegrami ngushëllimi, Ademi theksoi se Mati ishte një nga figurat më të respektuara të këtij klubi, duke mbrojtur me krenari fanellën kuqezi si qendërsulmues nga viti 1955 deri në vitin 1968.
Ai e përshkroi Matin si një sportist të përkushtuar, i cili me kontributin dhe paraqitjet e tij në fushën e lojës, u shndërrua në një prej emrave më të njohur të futbollit gjakovar. Pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist, Mati mbeti një tifoz dhe mbështetës i palëkundur i klubit, duke e ndjekur atë me pasion deri në përfundimin e jetës së tij.
Në emër të tij personal, të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, si dhe të gjithë komunitetit të futbollit, Ademi u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mati, të afërmve, miqve, KF Vëllaznimit dhe të gjithë komunitetit sportiv.
Ai theksoi se kontributi dhe trashëgimia që “Dushi” la pas në futbollin e Kosovës do të kujtohen gjithmonë me respekt dhe mirënjohje.
“U qoftë i lehtë dheu dhe kujtimi për Fahredin ‘Dush’ Matin qofshin të përjetshme”, u shpreh Ademi.



















You must be logged in to post a comment Login