Kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha, ka reaguar ndaj homologut të tij serb, Marko Gjuriq, duke e zhvendosur debatin nga retorika nacionaliste drejt dialogut dhe bashkëpunimit rajonal.
Hoxha ka vlerësuar tonin më të qetë të mesazhit të Gjuriqit, por ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit nuk mund të ndërtohet mbi “kërcënime dhe akuza”.
Në lidhje me çështjen e lumit Ibër dhe disputin për ujin, ai ka insistuar se burimet ujore nuk njohin kufij politikë. “Uji është jetë. Ai nuk mban pasaportë, nuk lexon hartat politike dhe nuk ndalet të pyesë se në cilën anë të kufirit po rrjedh,” thekson ai.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka argumentuar se përdorimi i burimeve ujore si mjet presioni nuk është vetëm një çështje mes dy shteteve, por një problem që prek parimet e bashkëjetesës dhe paqes në të gjithë rajonin.
“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksionet, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen,” është shprehur Hoxha.
Në përfundim, ai ka bërë thirrje për “më shumë Evropë, më pak mitologji” dhe ka theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar për një Bashkim Evropian që përfshin Kosovën, Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit.



















You must be logged in to post a comment Login