Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, theksoi se plagët e gjenocidit ndaj mbi 8.000 djemve dhe burrave të pafajshëm në Srebrenicë vazhdojnë të mbetën të pranishme në ndërgjegjen kolektive të rajonit dhe të botës.
Në një videomesazh të dërguar në Potoçari, gjatë ceremonisë përkujtimore për varrimin e dhjetë viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, Hoxha nënvizoi se Srebrenica nuk ishte thjesht një tragjedi lufte, as një akt i spastrimit etnik, por një vepër e planifikuar e vrasjes masive drejtuar boshnjakëve.
“Humbja e jetëve në Srebrenicë nuk ishte vetëm një incident luftarak, por një gjenocid – një akt i qëllimshëm vrasës ndaj boshnjakëve myslimanë, të shënjestruar vetëm për arsye të identitetit të tyre. Prandaj, kujtesa dhe e vërteta janë thelbësore”, shprehu Hoxha.
Ai e quajti mohimin e gjenocidit si “shtrembërim të së vërtetës dhe sulm ndaj drejtësisë dhe dinjitetit të viktimave”, duke theksuar se këto fakte janë konfirmuar nga gjykatat.
Ministri Hoxha e vuri në dukje se Rezoluta e miratuar nga Kombet e Bashkuara për Srebrenicën paraqet një qëndrim të qartë ndërkombëtar kundër mohimit dhe revizionizmit. Ai theksoi angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur të vërtetën, paqen dhe dinjitetin njerëzor.
Ceremonia përkujtimore në Potoçari përfshin sot varrimin kolektiv të mbetjeve mortore të dhjetë viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, që do të gjejnë prehje të përhershme.
Gjenocidi në Srebrenicë, i kryer në korrik të vitit 1995 nga forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe bashkëpunëtorët e tyre, rezultoi në vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë.



















You must be logged in to post a comment Login