Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Aktakuza ndaj ish-kryeshefit të KRM “Pastrimi”, më herët ishte shkarkuar për keqmenaxhim dhe shkelje

Aktakuza ndaj ish-kryeshefit të KRM “Pastrimi”, më herët ishte shkarkuar për keqmenaxhim dhe shkelje

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Burim Kelmendit, ish-Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, nën akuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 2020 dhe 2021, Kelmendi dyshohet se ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit. Ai akuzohet për nënshkrimin e 89 kontratave pune pa shpallje publike, përfshirë pozita të rregullta përmes kontratave me afat të caktuar.

Po ashtu, aktakuza pretendon se janë nxjerrë vendime për avancimin e të punësuarve pa ndjekur procedurat përkatëse. Këto veprime, sipas akuzës, i kanë shkaktuar kompanisë një dëm prej 114,535.06 euro.

Burim Kelmendi u shkarkua nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv në vitin 2022 nga Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi”. Në njoftimin e publikuar në korrik të atij viti, Bordi theksoi se vendimi ishte marrë për shkak të mosrealizimit të qëllimeve të kompanisë, keqmenaxhimit dhe devijimeve nga Plani i Biznesit.

Bordi përmendi gjithashtu pretendime për nepotizëm dhe shkelje të kompetencave, duke iu referuar gjetjeve të një raporti të auditorit të jashtëm. Në raport ishte theksuar se kishte pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit dhe mbipunësim të paarsyeshëm, në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë.

Prokuroria ka ngritur gjithashtu aktakuzë ndaj një personi tjetër, N.Rr., i cili dyshohet për ushtrim ndikimi, pasi ka kërkuar dhe marrë 1,500 euro nga persona të ndryshëm me premtimin se do të ndikonte në punësimin e tyre në kompani.

Prokurori i rastit ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement