Analisti Dardan Sejdiu ka komentuar se takimi i nesërm i kryeministrit Albin Kurti me liderët e partive opozitare do të përqendrohet vetëm në çështjen e presidentit konsensual.
Sejdiu theksoi se nuk do të diskutohet për parimet, sepse sipas tij, projekti qeverisës i Kurtit gjatë këtyre gjashtë viteve ka treguar se nuk ka ambicie të qartë.
“Nesër nuk do të flitet për parimet ose se si vjen programi. Ky nuk është lloji i diskutimit për të cilin Kurti i ka ftuar këta individë,” shprehu ai gjatë një interviste në Rubikon të Klan Kosovës.
“Tema është shumë e thjeshtë. Në thelb, ajo që pyetet është: A jeni të interesuar që unë t’ju ofroj disa pozita në Qeveri, ndërsa ju të votoni një kandidat të pavarur për president? Kjo është e gjitha,” shtoi Sejdiu.
Ai vuri në dukje se ambiciet e kësaj Qeverie për gjashtë vitet e fundit janë të papërfillshme. “Është një projekt me ambicie zero. Është thjesht pushtet,” theksoi ai.
“Duhet kuptuar rrethanat. Presidenti do të jetë ose nga PDK-ja, ose nga LDK-ja. Kjo është e qartë, për të siguruar balancë dhe stabilitet. Nëse doni të hyni në Qeveri, mund të merrni dy a tri pozita, por kjo do të thotë që duhet të ketë balancë,” përfundoi ai.



















You must be logged in to post a comment Login