Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka shprehur shqetësimin e saj për situatën aktuale të vendit, duke theksuar se pas gjashtë vjetësh, Kosovën vazhdon ta karakterizojë izolimi dhe raportet e lënduara me aleatët strategjikë.
Çitaku theksoi se ndërkohë që Kosova përkeqëson marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar, Serbia po thellon bashkëpunimin e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo përmendi marrëveshjen e re për Dialogun Strategjik SHBA–Serbi, e cila përfshin fusha kyçe si inteligjencën artificiale, energjinë dhe gazin e lëngshëm amerikan, që, sipas saj, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e refuzoi pa e shqyrtuar seriozisht.
Tutje, Çitaku nënvizoi se vetëm disa ditë pas vizitës së këshilltarit të posaçëm të ish-Presidentit Trump në Kosovë, u publikua një raport kritik që ka dëmtuar imazhin e vendit. Ajo e përshkroi situatën si pasojë të një politike që ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën.
“Dikur, Kosova ishte në qendër të vëmendjes së botës demokratike, por sot, për fat të keq, po rrëshqet në periferi të interesimit të qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare”, theksoi ajo.
Çitaku theksoi se e ardhmja e Kosovës kërkon ndërtimin e aleancave të forta dhe një koordinim të mirë me partnerët strategjikë, duke u distancuar nga vetëkënaqësia dhe konfrontimi. Ajo paralajmëroi se me këtë qeverisje, vendi rrezikon të mbetet në periferi, ku qytetarët do të paguajnë çmimin, jo vetëm qeveria. Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, përfundoi duke theksuar rëndësinë e një politike të arsyeshme për të ardhmen e Republikës.



















You must be logged in to post a comment Login