Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur një reagim të fortë ndaj bllokadës institucionale në vend, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mosformimin e institucioneve pas zgjedhjeve.
Në një deklaratë publike, OVL-UÇK kundërshton mbajtjen e Kosovës “peng të llogarive partiake”. Sipas organizatës, vonesat në funksionalizimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë dëmtojnë interesin shtetëror.
“Shprehim kundërshtimin tonë të plotë ndaj çdo përpjekjeje për ta mbajtur Kosovën peng të llogarive partiake të Albin Kurtit. Kuvendi ende nuk funksionon, ndërsa vendi është pa qeveri me mandat të plotë. Kjo nuk është strategji; është sulm ndaj rendit institucional dhe sigurisë së shtetit,” thuhet në reagim.
Veteranët theksojnë se përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale e mban Albin Kurti. Ata e akuzojnë atë se po e vendos interesin partiak mbi atë shtetëror.
“Përgjegjësinë kryesore e mban Albin Kurti. Refuzimi i tij për ta vënë interesin kombëtar mbi pushtetin partiak thellon paqëndrueshmërinë dhe dëmton lidhjet me aleatët tanë strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” vazhdojnë ata.
OVL-UÇK thekson se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe se sfidat me të cilat përballen veteranët dhe qytetarët kërkojnë veprime të menjëhershme.
“Kosova nuk është pronë e asnjë udhëheqësi. As e ndonjë partie,” përfundon deklarata.
Në përfundim, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së bën thirrje që Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje të mundësojnë krijimin e institucioneve të reja.
“OVL-UÇK i bën thirrje Albin Kurtit dhe subjektit të tij që të ndërpresin lojërat me fatin e vendit dhe t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve. Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe as luks për të pësuar dëme të mëtejshme diplomatike e ekonomike,” përfundon reagimi.



















You must be logged in to post a comment Login