Florie Selmani, e bija e Osman Selmanit nga Kosova, ka bërë apel për ndihmë nga organizatat ndërkombëtare që kanë monitoruar refugjatët gjatë luftës në Kosovë. Ajo beson se këto organizata mund të ofrojnë dëshmi që mund të vërtetojnë se babai i saj nuk ka kryer krime lufte.
Osman Selmani, 74 vjeç, u arrestua më 1 korrik nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Mutivodës, teksa kthehej nga Medvegja në Prishtinë, nën dyshimet për krime lufte.
Florie deklaron se gjatë luftës, familja e saj ishte detyruar të largohej nga shtëpia dhe kishte qëndruar si refugjatë në Maqedoninë e asaj kohe. Ajo i është drejtuar organizatave që ishin të angazhuara në menaxhimin dhe monitorimin e refugjatëve, duke kërkuar çdo dokument, regjistrim ose informacion që mund të dëshmojë praninë e Osman Selmanit në kampin e refugjatëve në Çegran, Gostivar, gjatë luftës.
Ajo ka kontaktuar organizata si UNHCR, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe të tjera, për të kërkuar ndihmë në dokumentimin e së vërtetës që lidhet me rastin e babait të saj.
“U drejtohemi të gjithë atyre që kanë pasur rol në menaxhimin e refugjatëve gjatë vitit 1999. Çdo dëshmi, dokument apo informacion që mund të ofroni do të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës dhe dokumentimin e historisë sonë”, tha Florie Selmani.
Organizatat që ajo ka kontaktuar përfshijnë:
– UNHCR – Agjencia e OKB-së për Refugjatë
– ICRC – Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq
– IFRC dhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë
– CARE
– IOM – Organizata Ndërkombëtare për Migrim
– UNICEF, WHO, OCHA dhe organizata të tjera të Kombeve të Bashkuara
– CRS, Norwegian Refugee Council, Oxfam, Mercy Corps dhe të tjera.
Florie Selmani bën thirrje për shpërndarjen e këtij apeli me këdo që mund të ketë informacion, dokumente ose dëshmi nga kampi i refugjatëve në Çegran gjatë vitit 1999, duke theksuar se çdo informacion mund të luajë një rol të rëndësishëm në ndriçimin e së vërtetës.



















You must be logged in to post a comment Login