Selekori i Spanjës, Luis de la Fuente, ka shpallur se finalja e Kupës së Botës 2026 kundër Argjentinës do të jetë një ndeshje e balancuar, ku fituesi do të përcaktohet nga detajet. Ai e përjashtoi mundësinë e markimit individual ndaj Lionel Messit.
Në një konferencë për media para finales, e cila do të zhvillohet në stadiumin “MetLife” në New Jersey, De la Fuente theksoi se arritja në finale është një privilegj. Ai shprehu se skuadra e tij është e gatshme të luftojë për trofeun.
“Vetëm të jesh në një finale është një privilegj. Tani kemi mundësinë të luftojmë për Kupën e Botës,” u shpreh ai.
Trajneri spanjoll vlerësoi shumë Argjentinën dhe selektorin e saj, Lionel Scaloni. Ai e theksoi se të dyja kombëtaret kanë cilësi të mëdha. Sipas tij, ndeshja do të vendoset nga ekipi që do të arrijë të neutralizojë më mirë pikat e forta të kundërshtarit.
Duke folur për Lionel Messin, De la Fuente përmendi një përvojë nga koha e tij te Sevilla, kur një përpjekje për ta markuar individualisht rezultoi në katër gola të shënuar nga argjentinasi.
“Nuk do ta markojmë individualisht, por sigurisht që do të kemi vëmendje të veçantë ndaj tij,” tha ai.
De la Fuente informoi gjithashtu se Lamine Yamal është rikuperuar plotësisht dhe do të jetë i gatshëm për finalen. Ai zbuloi se ka marrë gjithashtu këshilla nga ish-trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque.
Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës do të zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në stadiumin “MetLife” në New Jersey, duke filluar nga ora 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore.



















You must be logged in to post a comment Login