Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është e planifikuar për fillimin e gushtit. Këtë ka bërë të ditur ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në një deklaratë për mediat.
Haxhiu nuk e sqaroi datën dhe orën e saktë të seancës, por la të kuptohet se informacioni do të publikohet javën e ardhshme. Ajo theksoi se afati kushtetues për formimin e Kuvendit është deri më 7 gusht.
“Do të ketë një seancë konstituive në fillim të gushtit. Javën e ardhshme do ta bëjmë të ditur ditën dhe orën e saktë. Është e rëndësishme që në këtë seancë të marrin pjesë të gjithë deputetët, siç e kërkon aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese,” deklaroi Haxhiu.
Ajo gjithashtu u shpreh mbi përpjekjet për formimin e institucioneve të reja. Sipas saj, Kryeministri Kurti ka ndjekur një qasje serioze dhe ka ftuar partitë politike për të kontribuar në këtë proces. Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka pezulluar negociatat, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë pasur qëndrim tjetër.
“Është e rëndësishme të punojmë për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe të gjejmë një zgjidhje të pranueshme. Askush nuk dëshiron zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi ato nuk do të zgjidhnin asgjë,” theksoi Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së presidentes gjithashtu foli për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Ajo e theksoi rëndësinë e konstituimit të Kuvendit për të filluar afatet për zgjedhjen e presidentit. Pas konstituimit, partitë do të kenë 60 ditë për të arritur një marrëveshje dhe për të shmangur mundësinë e një tjetër raundi të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Dua t’i jap partive kohë për t’u marrë vesh, për të shmangur situatën që mund të na çonte sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme, e cila nuk do të ishte në dobi as për qytetarët e Kosovës, as për partitë politike,” përfundoi Haxhiu.



















You must be logged in to post a comment Login