Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për refuzimin e vizave për përfaqësuesit e ekipit kombëtar, pak orë pas konfirmimit nga Uashingtoni se lojtarët iranianë kishin marrë lejen për të udhëtuar në Botërorin e ardhshëm.
Sipas BBC, zyrtarët amerikanë njoftuan se vizat ishin lëshuar për të gjithë lojtarët si dhe për “stafin mbështetës” të premten, dhjetë ditë para ndeshjes hapëse të Iranit, e cila do të zhvillohet në Los Angeles më 15 qershor.
Po ashtu, ata theksuan se Irani nuk do të lejohet të “abuzojë me këtë sistem për të futur terroristë në SHBA me pretekste të rreme”.
Ambasada e Iranit në Turqi ka akuzuar SHBA-në për “ndërhyrje të pjesshme dhe të paragjykuar politike në sport,” duke refuzuar vizat për një “pjesë të madhe të stafit menaxherial dhe ekzekutiv”, përfshirë “këshilltarët teknikë”.
Mediat iraniane raportojnë se 15 zyrtarë, duke përfshirë kreun e federatës së futbollit dhe zëvendësin e tij, kanë hasur në probleme për të hyrë në SHBA.
Sipas kushteve të vizave, ekipi do të detyrohet të hyjë dhe të largohet nga SHBA-ja në të njëjtën ditë me ndeshjet, sipas deklaratës së ambasadorit iranian në Meksikë.
Zyrtarët e ambasadës iraniane kanë kërkuar nga FIFA, organi drejtues botëror i futbollit, të ndërhyjë në këtë çështje.
Irani do të përballet me Belgjikën në Kaliforni dhe me Egjiptin në Seattle në dy ndeshjet e tjera të grupit.















You must be logged in to post a comment Login