Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas tragjedisë së fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku humbi jetën një punëtor.
Ai theksoi se vetëm në tri ditët e fundit, dy punëtorë të KEK-ut kanë ndërruar jetë në krye të detyrës. Ramadani shprehu pikëllim për vdekjen tragjike të Arbenit Ahmetit, i cili humbi jetën si pasojë e kontaktit me rrymën. Gjithashtu, ai përmendi se tri ditë më parë kishte ndodhur një tjetër ngjarje fatale me teknikun Haxhi Gojnovci.
“Pavarësisht se kjo javë ka qenë e përgjakshme, një muaj më parë në të njëjtën korporatë vdiq edhe punëtori Milazim Binaku. Tre punëtorë të vdekur në një ndërmarrje publike brenda pak javësh tregon për një dështim të thellë dhe kriminal të shtetit”, tha ai.
Ramadani kritikoi poziten për gjendjen e punëtorëve, duke aluduar se ndërsa partia fituese e zgjedhjeve qëndron e qetë, punëtorët po dalin në punë pa sigurinë se do të kthehen në shtëpi. Ai vuri në dukje se premtimi për rritjen e numrit të inspektorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës ka mbetur vetëm një premtim.
“Gjatë këtij viti, mbi 17 familje në Kosovë janë në zi. Ndërmarrjet publike janë shndërruar në zona rreziku për shkak të mungesës së kushteve bazike dhe menaxhimit të paaftë politik”, u shpreh ai. Ai përfundoi me ngushëllimet më të thella për familjet Ahmeti, Gojnovci dhe Binaku, duke shtuar se “buka e gojës nuk guxon të paguhet me jetë njerëzish”.



















You must be logged in to post a comment Login