Një 46-vjeçar me shtetësi kosovare ka dalë para Gjykatës Penale në Vevey të Zvicrës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij 38-vjeçare në maj të vitit 2023.
Prokuroria zvicerane e akuzon atë për vrasje të rëndë, duke pretenduar se e sulmoi me disa goditje me thikë. Sipas saj, ai nuk i ofroi ndihmë pas plagosjes dhe u largua nga banesa bashkë me vajzën e tyre të vogël, shkruan gazeta Blick, e cila është raportuar nga Klankosova.tv.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 26 majit 2023 në banesën e viktimës në Vevey. I akuzuari, i cili jetonte në Gjermani, kishte ardhur në Zvicër dy ditë përpara ngjarjes për të parë partneren në një lidhje në distancë.
Pas një sërë konflikteve mes çiftit, prokuroria pretendon se ai e sulmoi viktimën me një armë të ndaluar që kombinonte një dorezë metalike me teh. Viktima pësoi plagë të rënda në qafë dhe kraharor, çka rezultoi në gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, duke i shkaktuar vdekjen.
Sipas hetimeve, pas sulmit ai nuk thirri ambulancën dhe as nuk ofroi ndihmën e parë. Përkundrazi, dyshohet se mori telefonin e viktimës, e mbylli banesën dhe u largua me vajzën e tyre të vogël, ndërsa partnerja ishte ende gjallë. Ai po ashtu udhëtoi drejt qytetit të Thun-it, ku jeton njëri prej vëllezërve të tij, derisa u ndalua nga policia.
Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën për vrasje të rëndë, një vepër e cila në të drejtën penale zvicerane trajtohet kur krimi kryhet me egërsi të veçantë ose pas një planifikimi të ftohtë. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me dënim të përjetshëm. Ndërkohë, aktakuza përfshin edhe akuzën për vrasje, që parashikon dënim prej të paktën pesë vjetësh burg.
Marrëdhënia mes çiftit ishte përkeqësuar prej kohësh, me konflikte që lidhen me xhelozinë, sjelljen posesive të të akuzuarit, si dhe mosmarrëveshjet për vendbanimin dhe edukimin e fëmijës. Hetimet janë udhëhequr nga prokurori i përgjithshëm të kantonit Vaud, Eric Kaltenrider.
Çifti u njoh në vitin 2020 përmes miqve të përbashkët dhe në vitin 2021 u bënë prindër të një vajze. I akuzuari kishte edhe fëmijë nga një martesë e mëparshme dhe kishte punuar si montues mobiliesh para se të mbetej pa punë pas një aksidenti në vitin 2015.
Viktima kishte ardhur në Zvicër nga Kosova me babanë e saj në vitin 2001 dhe ishte nënë e tre fëmijëve nga një martesë e parë, për të cilët kujdesej e vetme.
Në seancën e parë gjyqësore, e cila u zhvillua me përkthim në gjuhën shqipe dhe në prani të familjarëve të viktimës, i akuzuari mohoi një pjesë të akuzave. Ai deklaroi se nuk kujtonte të kishte goditur partneren disa herë me thikë dhe hodhi poshtë pretendimet se marrëdhënia mes tyre kishte qenë e keqe.
Sipas mediave zvicerane, gjatë marrjes në pyetje i akuzuari dha disa përgjigje kontradiktore dhe shpesh të paqarta. Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me paraqitjen e argumenteve përfundimtare të palëve.
Be the first to comment