Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, theksoi se përshpejtimi i funksionalizimit të institucioneve të Republikës është kritik për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes. Ai bëri të ditur se vendi ka humbur mbi 40 milionë euro për shkak të vonesave në zbatimin e reformave.
Gjatë emisionit “Intervista e Javës” në KosovaPress, Zulfaj njoftoi se raporti i parë mbi zbatimin e Agjendës së Reformave, i cili përmban 111 hapa, do të dorëzohet më 15 korrik. Ky raport do të shërbejë si bazë për kërkesën për lirimin e më shumë se 100 milionë eurove nga Plani i Rritjes.
Pas dorëzimit të raportit, Komisioni Evropian do të ketë tre muaj për të verifikuar nëse reformat janë zbatuar sipas kritereve të dakorduara. Vetëm pas kësaj do të merret vendim për disbursimin e fondeve.
Zulfaj theksoi se mjetet financiare nuk transferohen automatikisht, por varen drejtpërdrejt nga përmbushja e obligimeve të marra nga Kosova në kuadër të Planit të Rritjes. Ai sqaroi se çdo gjashtë muaj, prema këtij plani, Kosova duhet të dërgojë një raport për progresin në agjendën e reformave. Nga 13 hapat që duhej të përfundonin deri më 30 qershor, shtatë janë realizuar, ndërsa gjashtë kanë mbetur pezull, kryesisht për shkak të nevojës për miratimin e ligjeve nga Kuvendi.
Kryenegociatori nënvizoi se vonesat që rrjedhin nga kriza politike e muajve të fundit kanë ndikuar në ritmin e reformave. Ai vlerësoi se Kosova ka humbur rreth 40 milionë euro fonde për shkak të mos përmbushjes së obligimeve në kohë.
Sipas Zulfajt, reformat e mbetura nuk janë braktisur, dhe ato do të mund të miratohen nga legjislatura e re. Megjithatë, vonesat kanë pasoja financiare për zbatimin e Planit të Rritjes.
Ai përmendi se 6 nga 13 hapat kërkojnë ligje nga Kuvendi, përfshirë reforma të rëndësishme në drejtësi. Zulfaj u shpreh se vonesat e krijuara nga bllokadat politike i kanë kushtuar Kosovës jo vetëm 40 milionë euro, por edhe më shumë.
Në lidhje me fondet që nuk arrijnë të tërhiqen brenda afateve, Zulfaj sqaroi se vendimi për fatin e tyre i takon Bashkimit Evropian. Ato mund të rishpërndahen për shtetet e tjera të rajonit, të rikthehen si asistencë teknike për Kosovën, ose të mbeten në buxhetin e BE-së.
Zulfaj theksoi nevojën që Kuvendi të sigurojë miratimin e reformave, pavarësisht mungesës së konsensusit për çështje të tjera politike. Ai paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje politike deri në fund të vitit, Kosova mund të përballet me rrezik për të humbur edhe 100 milionë euro të tjera.
Këto mjete janë të destinuara për investime në infrastrukturë, arsim dhe fusha të tjera zhvillimore. Zulfaj bëri thirrje për përgjegjësi nga të gjitha partitë dhe për të shmangur pengesat politike në zbatimin e reformave.
Ai iu kërkoi partive opozitare që, edhe në rastin e një bllokade, të mos pengojnë miratimin e reformave të nevojshme që lidhen me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian.
Ky plan është një kornizë e re e BE-së që stimulon reformimin dhe integrimin evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke kombinuar reformat me financim të drejtpërdrejtë nga fondet evropiane.
Me zbatimin e reformave të kërkuara, Kosova mund të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së, të ndara në grante dhe hua afatgjata.
Be the first to comment