Rike Roçi ka reaguar publikisht rreth marrëdhënies së saj me fenë, pas një mesazhi që mori nga një ndjekës në Instagram. Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania”, e cila këtë vit vizitoi vendet e shenjta dhe kryesoi Umren, u përball me një koment që e këshillonte të përkushtohej më shumë ndaj fesë islame.
“Ktheju fesë Islame ende më mirë, sepse je diamant vajzë. Mos lejo të përdorin profilin tënd materialistët,” ishte mesazhi i ndjekësit.
Në përgjigjen e saj, Rike sqaroi se besimi zë një vend të rëndësishëm në jetën e saj dhe se raporti me Zotin është thellësisht personal. “Ta sqarojmë njëherë e mirë. Besoj, dhe besoj shumë. Me kismet, do ta bëj përsëri Umren,” shkroi ajo.
Ajo pranoi gjithashtu se, si çdo njeri tjetër, ka gabimet e saj dhe ndonjëherë mund të ndihet “e padenjë”. Megjithatë, theksoi se askush nuk ka të drejtë ta gjykojë plotësisht marrëdhënien e një personi me besimin.
“Mendoj se secili prej nesh e di vetë çfarë lidhjeje ka me Atë lart. Në fund, rëndësi ka që Ai e njeh shpirtin tim dhe e di çfarë kam në zemër, dhe kjo është e mjaftueshme për mua,” u shpreh ajo.
Me këtë reagim, Rike Roçi bëri të qartë se nuk dëshiron që besimi i saj të matet apo gjykohet nëpërmjet asaj që zgjedh të publikojë në media sociale. Për të, marrëdhënia me fenë mbetet një çështje intime e personale, dhe mesazhi i saj është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj atyre që komentojnë mënyrën se si ajo e shpreh besimin në publik.



















You must be logged in to post a comment Login