Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj mbi pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Mitrovicës së Veriut për vitin 2025 ka zbuluar se komuna nuk ka kryer faturimin dhe inkasimin e shumës prej 7,548 euro. Kjo situatë është rezultat i pamundësisë për të kërkuar leje mjedisore dhe për të caktuar taksën për leje mjedisore komunale për një objekt banimi kolektiv me sipërfaqe 12,580 metra katror.
Sipas raportit, më 2 shtator 2025, në Drejtorinë e Urbanizmit është paraqitur një kërkesë për pajisje me leje ndërtimi për këtë objekt. Gjatë rishikimit të dokumentacionit, është evidentuar se Drejtoria nuk ka kërkuar lejen mjedisore dhe nuk është përcaktuar taksa për leje mjedisore mbi të cilën do të llogaritej tarifa prej 0.2% të vlerës së investimit, e cila ishte 3,774,180 euro. Për pasojë, komuna nuk është në gjendje të realizojë faturimin dhe inkasimin e shumës përkatëse.
ZKA thekson se mos caktimi i taksës për leje mjedisore është shkaktuar nga mos kërkesa e lejes mjedisore nga ana e komunës, cilësuar si rezultat i mos zbatimit të procedurave të përcaktuara nga ligji.
Raporti gjithashtu nënvizon se moszbatimi i procedurave për leje mjedisore mund të ndikojë negativisht në kushtet e ndërtimit, duke përfshirë mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve të ndërtimit. Kjo situatë gjithashtu pengon inkasimin e të hyrave që lidhen me taksat për leje mjedisore komunale.
Në përfundim, raporti rekomandon që kryetari i komunës duhet të sigurojë kërkesën për leje mjedisore nga drejtoria përkatëse dhe të garantojë se tarifat do të llogariten dhe inkasohen në përputhje me ligjet në fuqi.
Raporti i plotë mund të gjendet duke klikuar: KËTU.



















You must be logged in to post a comment Login