Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar mangësi në menaxhimin dhe regjistrimin e pasurive kapitale në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas gjetjeve të ZKA-së, regjistri i pasurive me vlerë mbi 1,000 euro është nënvlerësuar për 35,137 euro në Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2025.
Reporti i auditimit tregon se nënvlerësimi është shkaktuar nga dy investime kapitale: “Zgjerimi i Institutit të Forenzikës” me vlerë 21,547 euro dhe “Sistemi i ujitjes në SHKK” me vlerë 13,590 euro. Këto investime nuk janë regjistruar në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës (SIMFK) gjatë vitit të kaluar.
Auditorët e ZKA-së vunë në dukje se mangësitë ndodhin për shkak të kryerjes së pagesave për këto investime në fund të vitit. Zyrtari përgjegjës për pasuritë nuk arriti t’i regjistrojë ato brenda periudhës raportuese.
Zyra Kombëtare e Auditimit thekson se mosregjistrimi në kohë i pasurive ndikon në paraqitjen e saktë të vlerës së tyre në raportet financiare, çka rezulton në nënvlerësim dhe një prezantim të pasaktë në Pasqyrat Financiare Vjetore.
Në këtë kontekst, ZKA rekomandon që Ministria e Drejtësisë të forcojë mekanizmat e kontrollit të brendshëm për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen. Po ashtu, duhet siguruar që çdo pasuri e blerë të regjistrohet dhe paraqitet saktë në kohë në Pasqyrat Financiare Vjetore.
Sipas raportit, menaxhmenti i entitetit është pajtuar me rekomandimet e dhëna nga ZKA.



















You must be logged in to post a comment Login