Shqipëria vazhdon të përballet me vatrat e zjarrit, megjithatë në dy ditët e fundit situata është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me ditët e mëparshme.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 të ditës së sotme janë evidentuar shtatë vatra zjarri, nga të cilat pesë mbeten akoma aktive.
Në njoftimin e kësaj ministrie, bëhet e ditur se në terren janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore. Po ashtu, Forcat e Armatosura ofrojnë mbështetje me 90 efektivë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore aktive ndodhen në Dajt dhe Priskë, Tiranë, Lufaj, Mirditë, Tërbun–Gojan, Pukë dhe Shashicë, Selenicë. Situata më e ndjeshme paraqitet në Tërbun–Gojan, ku era e fortë ka ndihmuar në përhapjen e zjarrit. Forcat operacionale vazhdojnë punën në terren, ndërsa Ministria e Mbrojtjes po përqendrohet në mbrojtjen e banesave. Aktualisht nuk raportohet për kërcënim të zonave të banuara.
Be the first to comment