Zjarrfikësit në Mal të Zi po vazhdojnë përpjekjet për të kontrolluar zjarret që kanë shpërthyer në Ulqin dhe Herceg Novi. Edhe këtë mëngjes, ata janë angazhuar në ruajtjen e objekteve nga flakët.
Sipas mediave lokale, zjarrfikësit po arrijnë të mbrojnë në mënyrë efektive ndërtesat. Gjatë natës, era ka pësuar një dobësim, mirëpo ekziston shqetësimi se ajo mund të forcohet sërish.
Televizioni “Vijesti” raporton se gjashtë mjete fluturuese po ndihmojnë në fikjen e zjarreve në Bijella dhe Ulqin. Zjarret e mëdha të shpërthyera dje në Ulqin ende nuk janë lokalizuar, dhe si pasojë e tyre, kjo komunë ka mbetur pa ujë.
“Zjarri vazhdon të jetë aktiv në disa lokacione. Të gjitha vendet që digjen që nga dje janë ende nën kërcënim, por situata tani është më e qetë. Ekipet e zjarrfikësve janë në terren, duke përfshirë ata nga Ulqini, Tivari, Berane, Bijello Polja, si dhe ekipet e Ushtrisë së Malit të Zi. Tashmë janë angazhuar edhe helikopterë dhe aeroplanë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim,” tha Radomir Shqepanoviq nga kjo drejtorinë, për “Vijesti”. Ai shprehu shpresën se zjarret do të mbahen nën kontroll gjatë këtij procesi.
Situata mbi Bijellë dhe Baoshiq, në Herceg Novi, përballet me vështirësi të vazhdueshme, por zjarrfikësit po arrijnë t’i mbajnë flakët larg shtëpive. Mbrëmë, gjithashtu, është evakuuar një tjetër familje si masë mbrojtëse.
Maksim Mandiq, kreu i Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Kotorrit, për “TV Vijesti” theksoi se erërat, që shpesh ndryshojnë drejtim, e bëjnë të vështirë parashikimin e situatës. Ai gjithashtu theksoi se terreni është shumë i vështirë për fikjen e zjarrit.
Be the first to comment