Gazetarja Ardiana Thaçi ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) gjatë emisionit “Rubikon” në Klan Kosova. Ajo ka theksuar dinamikat e brendshme që karakterizojnë situatën aktuale në parti.
Sipas saj, nuk ka një synim të qartë për ndarje në LDK. Thaçi u fokusua te gara për drejtimin e partisë dhe organizimin e zgjedhjeve të reja brenda saj. Ajo vlerëson se ky është elementi kryesor i zhvillimeve të tanishme.
“Ajo që unë mendoj është që nuk ka dëshirë për ndarje, pasi e dinë se historia tregon se ata që janë ndarë kanë përfunduar në forma të pabera. Fraksionet dhe partitë e reja që janë formuar më parë tani nuk ekzistojnë më. Më tepër mendoj për ata që synojnë të marrin kreun e LDK-së dhe, natyrisht, të organizojnë zgjedhje të reja,” tha Thaçi.
Duke folur për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Thaçi vlerësoi se ai ka bërë një hap të rëndësishëm duke u angazhuar në një rol më përfshirës. Sipas saj, Abdixhiku ka vepruar në funksion të rritjes së partisë përmes listave zgjedhore.
“Mendoj se z.Abdixhiku nuk mund të jetë fajtor për këto zgjedhje. Ai ka bërë një hap përpara duke e anashkaluar veten dhe duke lënë dikë tjetër në pozitën e parë në listën zgjedhore me qëllim të rritjes së partisë,” deklaroi ajo.
Thaçi përmendi gjithashtu mundësinë e mungesës së angazhimit në disa degë të partisë, duke e cilësuar atë si mungesë pjesëmarrjeje dhe angazhim në terren.
“Po, në këto zgjedhje ka qenë më unitar dhe më gjithëpërfshirës për publikun. A mendoj se ka pasur sabotazh në degët e LDK-së? Ndoshta jo sabotazh klasik, por një mospjesëmarrje në tubime dhe në angazhimin për të fituar zgjedhjet. Ndoshta nuk është sabotazh, por është një mospjesëmarrje dhe mosinteresim që sjell ndikime në vota,” përfundoi Thaçi.


















You must be logged in to post a comment Login