Kryetari i Shoqatës së Botuesve dhe organizator i Panairit të Librit, Edon Zeneli, ka vlerësuar se interesi për librin në Kosovë mbetet i lartë, pavarësisht ndryshimeve në mënyrat e aksesit të lexuesve te librat me kalimin e kohës.
Zeneli, gjatë një intervistë në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, theksoi se, sipas përvojës së tij shumëvjeçare, trendi i shitjes së librave është në rritje. Ai shprehu keqardhjen për mungesën e statistikave zyrtare që do të ndihmonin në vlerësimin e këtij fenomeni.
“Interesi për librin nuk ka humbur asnjëherë, megjithatë, formatet e arritjes te libri kanë ndryshuar. Kam qenë aktiv në këtë fushë që nga vitet 2007-2008 dhe, sipas përshtypjeve të mia personale, mund të them se trendi është pozitiv. Fatkeqësisht, nuk kemi të dhëna të sakta në nivelin shtetëror për ta matur këtë,” u shpreh Zeneli.
Ai vuri në dukje se, megjithëse nuk është e mundur të përcillet në mënyrë të saktë zinxhiri i leximit, është e qartë se librat vazhdojnë të shiten.
“Libraritë konkurrojnë me sektorë të tjerë si dyqanet e rrobave dhe kafenetë. Megjithatë, arritëm të mbajmë libraritë në vendet kryesore në Prishtinë, në qendrat tregtare dhe lokacione të tjera. Së shpejti do të hapet edhe një librari në Prizren. Nëse ne nuk do të hasnim në lexues që kërkojnë dhe blejnë libra, kjo do të ishte e pafuqishme,” përfundoi Zeneli.



















You must be logged in to post a comment Login