Punonjësit e shpëtimit në Nepal kanë zbuluar pesë trupa në një zonë ku vitin e kaluar humbën jetë po aq alpinistë. Këtë e kanë njoftuar autoritetet të shtunën.
Tre alpinistë të huaj – një shtetas italo-kanadez, një italian dhe një gjerman – si dhe dy shtetas nepalezë, janë të zhdukur që nga nëntori i vitit të kaluar. Këta alpinistë ishin goditur nga një ortek në malin Yalung Ri.
Dy alpinistë të tjerë, një italian dhe një francez, kishin humbur jetën në kampin bazë të malit, që arrin lartësinë 5,630 metra dhe ndodhet në distriktin Dolakha, pranë kufirit me rajonin e Tibetit në Kinë, sipas raportimeve të Reuters.
Thabindra Kumar Kafle, përfaqësues i komunës rurale Gaurishankar, ku ndodhet mali, tha se disa punonjës të angazhuar nga një kompani trekking-u kanë identifikuar trupat të premten.
“Po përpiqemi të arrijmë në vendin ku janë parë trupat, por kemi mbetur të bllokuar për shkak të motit të keq,” theksoi Phurba Tenjing Sherpa nga kompania turistike Dreamers’ Destination, e cila kishte udhëhequr alpinistët e huaj.
Sherpa foli nga Bongar Khola, afër zonës ku u zbuluan trupat, ndërsa një helikopter po priste përmirësimin e kushteve të shikueshmërisë.
“Trupat mund të jenë bërë të dukshëm pasi bora është shkrirë,” sqaroi ai.
Megjithatë, ende nuk ka konfirmime nëse trupat e gjetur i përkasin alpinistëve që humbën jetën në malin Yalung Ri vitin e kaluar. Mali ndodhet në luginën Rolwaling, në verilindje të Nepalit, një zonë ku alpinistët ballafaqohen me rrugë të vështira dhe terrene të ndryshme, duke përfshirë shkëmbinj, akull dhe borë.



















You must be logged in to post a comment Login