Policia e Kosovës ka ofruar detaje në lidhje me arrestimin e një personi një ditë më parë, i cili akuzohet për sulm fizik ndaj dy zyrtarëve policorë.
Sipas forcave të rendit, individi i arrestuar ka hedhur sprej ndaj policëve pasi ka refuzuar t’u bindet urdhrave të tyre. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur gjithashtu dy thika te ai.
Arrestimi ka ndodhur kur personi, gjatë ndërhyrjes së policisë, ka përdorur sprej ndaj zyrtarëve dhe më pas ka sulmuar fizikisht dy prej tyre. Si pasojë e këtij incidenti, të dy zyrtarët dhe i dyshuari kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë sekuestruar dy sprej dhe dy thika si prova materiale.
Pas arrestimit, policia ka verifikuar identitetin e të dyshuarit, i cili rezultoi se ishte në kërkim për disa urdhëresa nga Gjykatat për vepra të ndryshme penale në territorin e Republikës së Kosovës, dhe kishte një dënim prej 6 vjetësh burgim.
Sipas njoftimit, me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar për veprat penale të cilat dyshohet se ka kryer. Pas përfundimit të procedurave, ai do të dërgohet për të vuajtur dënimin, në përputhje me urdhëresat gjyqësore, me një kohëzgjatje prej gjashtë vjetësh.
Be the first to comment