Kryetari i Këshillit Shqiptaro-Amerikan, Martin Vulaj, ka shprehur shqetësimet e tij për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë emisionit “Info Magazine”. Ai theksoi se këto marrëdhënie po kalojnë në një periudhë të ndjeshme dhe përballen me sfida të konsiderueshme, duke përmendur çështjen e gazit amerikan.
Vulaj vuri në dukje se së fundmi janë shënuar disa fërkime në raportet dypalëshe, të cilat kanë ndikuar në dinamikën e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai e përshkroi situatën si një moment kritik, ku vendimet e marra do të kenë pasoja të rëndësishme për të dyja palët.
“Çështja e gazit amerikan nuk do të ishte dashur të bëhej një temë kaq e ndjeshme. Që nga shpallja e Pavarësisë, kjo është një nga çështjet më të rëndësishme në marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara. Kosova ka përjetuar disa fërkime me SHBA-në, që kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet tona, si për shembull pezullimi i MSC-së dhe bllokimi i dialogut strategjik. Jemi në një udhëkryq të rëndësishëm që kërkon kujdes të madh,” theksoi Vulaj në Klan Kosova.tv.
Ai gjithashtu paralajmëroi se nëse Kosova nuk arrin të gjejë shpejt një zgjidhje, vendi mund të përfundojë në tryezën e presidentit amerikan, Donald Trump, për arsye që do të jenë “jo për të mirë.”
Be the first to comment