Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Zlipotok të Dragashit, ku një 47-vjeçar ka humbur jetën pas një rrahjeje të dhunshme. Ai dyshohet se u godit me një mjet të mprehtë.
Sipas informacioneve nga Klankosova.tv, viktima është Gazmen Tairovci, imam i fshatit Zlipotok.
Policia njoftoi se më 29 qershor, rreth orës 23:15, kishte shpërthyer një konflikt mes disa personave. Me mbërritjen në vendin e ngjarjes, patrulla policore gjeti viktimën të shtrirë në tokë me lëndime që dyshohet se i ishin shkaktuar nga një thikë.
Ekipi mjekësor i QKMF-së në Dragash, që arriti menjëherë në vendin e ngjarjes, konstatoi se viktima kishte ndërruar jetë.
Policia ka identifikuar si të dyshuar B.H., një burrë rreth 40 vjeç, gjithashtu nga Zlipotoku, i cili aktualisht është në arrati. Autoritetet kanë njoftuar se po zhvillojnë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij që nga mbrëmja e së hënës.
Në vendin e ngjarjes kanë ndodhur operacione nga njësitet relevante të Stacionit Policor në Dragash, si dhe nga Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren. Hetimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin e shtetit, sipas njoftimit të policisë.
Be the first to comment