Policia e Sarandës ka shoqëruar 38 persona për t’u marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e një 20-vjeçari portugez, i cili u gjet i pajetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në lokalin “Principote” në Ksamil.
Sipas mediave shqiptare, pritet të ketë arrestime të tjera përveç 29-vjeçarit Sokrat Vata, i cili dyshohet si autori i kësaj vrasjeje.
Në kuadër të hetimeve, është parashikuar ndalimi i dy shtetasve turq, të cilët dyshohet se ndihmuan Vata të largohej nga vendi i ngjarjes, si dhe i personave të tjerë që mund të kenë pasur njohuri ose rol në këtë ngjarje.
Gjithashtu, është ndaluar Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër. Ai punonte si Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër dhe dyshohet se ka ndihmuar Sokrat Vatën pas vrasjes.
Nga hetimet ka rezultuar se Matushaj ka punuar si bodyguard për kompaninë “Elite Security” së bashku me Vatën në lokalin “Principote”. Dyshohet se ai e ka ndihmuar Vata të largohej nga vendi i ngjarjes.
Policia po heton gjithashtu rolin e një çifti turk, i cili drejtonte automjetin në të cilin dyshohet se ishte fshehur autori i vrasjes. Sokrat Vata mendohet gjithashtu se ka punuar si bodyguard për këtë shtetas turk.
Përveç këtyre, është shpallur në kërkim edhe 36-vjeçari Bekim Bulica. Hetimet tregojnë se ai ndodhej në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar në drejtim të Tiranës, me dyshimin se përpiqej t’i shmangej hetimit.



















You must be logged in to post a comment Login