Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se, sipas të dhënave nga 26 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00, 38.97% e votuesve të regjistruar, ose 10,804 persona, kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës nga një total prej 27,724 votuesish.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, theksoi se vetëm ata votues që janë regjistruar në përfaqësi diplomatike do të kenë mundësinë të votojnë sot. Emrat e këtyre votuesve janë përfshirë në listën votuese që u është dërguar përfaqësive, duke përfshirë vetëm ata që kanë zgjedhur këtë mënyrë votimi gjatë regjistrimit jashtë Kosovës.
Elezi gjithashtu njoftoi se votimi do të zhvillohet në 47 vendvotime, të cilat përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme.
Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës arrin në 27,724 votues.















You must be logged in to post a comment Login